Presidenti amerikan, Donald Trump ka sulmuar qëndrimin e qeverisë gjermane ndaj emigracionit, ndërsa vetë ai është vënë nën presion mbi reprezaljen mbi emigrantët.

Merkel, është në fakt në mesin e një mosmarrëveshjeje serioze pasi ka vijuar të mbrojë politikat e saj të emigracionit. Ajo është vendosur përballë ministrit të saj të Brendshëm, Horst Seehofer, që kërkon kthimin prapa të emigrantëve në kufirin gjerman, nëse janë regjistruar diku tjetër në BE.

Kjo përballje ka krijuar një çarje mes kristiandemokratëve të Merkelit dhe CSU të Seehofer, që kanë qenë ngushtësisht të lidhura që nga fundi i luftës së dytë botërore. Përplasja e ka detyruar Merkel të stërmundohet për të mbajtur bashkë koalicionin.

Në anën tjetër, Trump ka adoptuar një qëndrim të shumëkritikuar të tolerancës zero, që ka ndarë familjet që kalojnë kufirin meksikan. Ky pozicion është dënuar nga shumëkush, përfshirë ish zonjën e parë Laura Bush e madje edhe vetë bashkëshorten e Trump, Melania.

Por, në një seri postimesh në “Twitter”, presidenti ka mbrojtur qëndrimin e tij. “Ne nuk duam që ajo që po ndodh me emigracionin në Europë, të ndodhë edhe tek ne”, tha ai.

Njerëzit në gjermani po kthehen kundër lidershipit të tyre pasi emigracioni po luhat koalicionin e brishtë. Krimi në gjermani është i lartë. Gabim i madh i të gjithë Europës që lejon hyrjen e miliona njerëzve që kanë ndryshuar fuqishëm dhe dhunshëm kulturën e tyre”, shkruan Trump.

Sajtet gjermane të lajmeve, janë ndalur veçanërisht tek pohimi i tij për rritjen e kriminalitetit në gjermani. Ato nënvizojnë se shkalla e krimit në gjermani është në nivelin më të ulët që nga 1992, e kjo bazuar në shifrat zyrtare të publikuara muajin e kaluar.

Top Channel