Koalicioni saudit vijon bombardimet në aeroportin e Hodeidah

17/06/2018 13:55

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite vijoi sulmet ajrore në aeroportin Hodeidah të Jemenit, edhe në orët e para të së dielës. Bombardimet nga ajri vijnë në mbështetje të forcave që po përpiqen të marrin kontrollin e qytetit port të Hodeidah, nga luftëtarët e Houth-it, të lidhur me Iranin.

Mediat si pranë Houth-it, ashtu edhe ato arabe, pranuan se janë bërë të paktën 5 sulme ajrore paraditen e sotme, ndërsa luftëtarët e mbështetur nga Irani janë në pozitat më të këqija, duke ndjerë rrezikun e humbjes së këtij qyteti.

Trupat tokësore të përbëra nga ushtarë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sudanit dhe Jemenit, nga fraksione të ndryshme rrethuan kompleksin kryesor të aeroportit të shtunën, tha një burim në ushtrinë aleate të Jemenit.

Qëllimi i aleatëve, i udhëhequr nga Emiratet e bashkuara Arabe, është t’i marrin Hodeidah-un luftëtarëve të Houth-it, pasi është i vetmi port i Detit të Kuq nën kontrollin e tyre, dhe kështu mund t’i presin linjat e tyre të furnizimit në kryeqytetin Sanaa.

Top Channel