Jemen, ushtria përparon drejt “Portit të jetës”

16/06/2018 16:15

Forcat jemenite, të mbështetura nga koalicioni që udhëhiqet nga sauditët, kanë marrë kontrollin e aeroportit të qytetit portual Hudaydah nga duart e rebelëve Huthi.

Ushtria tha se tashmë ka nisur operacionin për të kontrolluar zonat rreth aeroportit për mina. Rebelët nuk kanë konfirmuar ende humbjen e aeroportit, por raportet nga terreni thonë se ata po humbasin edhe kontrollin e portit të qytetit, objektivi kryesor i betejës. Aktualisht nuk janë verifikuar luftime në qytet apo tek porti, rruga e vetme e ushqimit për miliona jemenitë që rrezikojnë urinë. Por humbjet e ndjeshme që rebelët kanë pësuar në luftën për aeroportin kanë bërë që forcat e tyre të zvogëlohen.

Porti i Hudaydah është i vetmi që kontrollohet nga rebelët dhe forcat e ushtrisë mendojnë se marrja e kontrollit të tij do të shënojë praktikisht fundin e luftës. OKB paralajmëroi se bllokimi i portit për shkak të luftimeve do të shkaktojë një krizë të vërtetë urie dhe do të rrezikojë jetët e miliona njerëzve.

Për këtë arsye, i dërguari i OKB-së, Martin Griffiths mbërriti në Jemen për të folur me rebelët, të cilëve do t’i propozojë dorëzimin e portit në duart e OKB-së për të shmangur luftime të mëtejshme dhe për të garantuar që porti nuk do të mbyllet.

OKB-ja paralajmëroi se në skenarin më të keq, lufta për qytetin mund t’i kushtojë jetën 250 000 njerëzve dhe të lërë pa ushqime miliona të tjerë në vend.

Top Channel