Anije të braktisura në mes të shkretëtirës – FOTO

08/06/2018 18:02

Tharja e detit Aral është një nga shembujt me real të ndryshimeve të mëdha klimatike të ndodhura gjatë viteve të fundit në planet. Deti zinte një sipërfaqe thuajse të barabartë me atë të Anglisë, por tashmë thuajse është tharë i tëri.

Ndërsa je duke ecur në mes të shkretëtirës, papritmas ndesh në anije të ndryshkura nga koha, të cilat dergjen mbi rërën e nxehtë.

Nuk është një skenar katastrofash biblike dhe as ndonjë film i Hollivudit, por pamja që ofron Deti Aral në Uzbekistan, dikur një prej zonave më të pasura me peshkim dhe më tërheqëse për turizëm në Bashkimin Sovjetik.

Megjithatë, sot nuk ka mbetur më pothuajse asgjë që të të kujtojë atë shkëlqim që kishte dikur liqeni, që për nga madhësia e tij fitoi titullin “det” në hartat e gjeografisë.

Në mënyrë që t’i jepej dorë bujqësisë në Uzbekistan dhe Kazakistanin që ndanin liqenin, sovjetikët nisën të ndërtonin diga dhe lumenj artificialë në fillimin e viteve 1940, në mënyrë që të devijonin ujërat e Aralit për qëllime prodhimi. Kjo politikë, ndonëse përmirësoi cilësinë e jetesës në zonën përreth, nisi të dëmtonte liqenin, që nisi të humbte gati 20 centimetra në vit nga niveli i tij.

Humbjet u rritën me kalimin e dekadave, por goditjen përfundimtare “Arali” e pësoi në vitin 1991, kur Uzbekistani fitoi pavarësinë nga Rusia dhe humbi kështu edhe mjetet e nevojshme financiare për t’u kujdesur për mirëmbajtjen e “detit”.

Një kombinim thatësirash, keqpërdorimi dhe shkarkimi i mbeturinave dhe toksinave në Aral e çuan atë në një pikë të dëshpëruar, duke e shndërruar në pak më shumë se një pellg të madh, që lufton për ekzistencë e ku nuk mbin më asgjë.

Anijet fantazmë do të vazhdojnë të dergjen në shkretëtirën që dikur i jepte jetë një prej liqeneve më të mëdha në botë.

FOTO GALERI
5/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA