Vullkani në Guatemalë, opozita kërkon “kokën” e kreut të Emergjencave

07/06/2018 08:24

Opozita në Guatemalë ka akuzuar kreun e Agjencisë së Emergjencave Civile (CONRED) për mosdhënien e paralajmërimeve shumë kohë përpara shpërthimit të vullkanit vdekjeprurës “Fuego”, e për pasojë kërkon dorëheqjen e tij.

Një nga kryeopozitarët, Mario Taracena tha se qeveria duhet të hetojë nëse ka pasur neglizhencë kriminale në këtë aspekt. Plot 99 persona kanë ndërruar jetë që prej së dielës, ndërsa shumë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Fshatra të tëra në shpatet e malit vullkanik u mbuluan nga hiri dhe balta, pas shpërthimit të “Fuego”-s. Disa shpërthime të tjera më të vogla, temperaturat e larta të shkëmbinjve dhe mbetje të tjera e kanë bërë shumë të vështirë punën e ekipeve të kërkim-shpëtimit.

Më shumë se 1.7 mln njerëz u prekën në një mënyrë apo një tjetër nga shpërthimi i së dielës, ndërsa mbi 3.000 të tjerë janë evakuuar.

Ekspertë vullkanologjikë thonë se i kishin paralajmëruar zyrtarët të evakuonin zonat përreth vullkanit “Fuego” orët e para të së dielës, për shkak të rritjes së aktivitetit sizmik, por pretendohet se agjencia “CONRED” nuk veproi në mënyrë të menjëhershme.

Top Channel