Conte: Heqim sanksionet me Rusinë, BE të menaxhojë emigracionin

06/06/2018 02:17

Në fjalën e parë të tij në parlament, kryeministri i ri italian Giuseppe Conte theksoi se nuk ka shumë eksperiencë politike mbi supe, por pranoi se qytetarëve u duhet dhënë përgjigje e menjëherëshme për shumë shqetësime të tyre.

Conte premtoi se një nga prioritetet e qeverisë së tij do të jetë mbrojtja e interesave të italianëve, ndërsa sulmoi sërish BE-në, në lidhje me menaxhimin që po i bën emigracionit.

“Hapi i parë drejt një dialogu me partnerët europianë është emigracioni. Deri tani, menaxhimi i fluksit të emigrantëve ka qenë një dështim. Europa ka lejuar një vetëizolim egoist të disa shteteve që i kanë lënë vështirësitë në supet e vendeve si Italia. Do kërkojmë rishikim të menjëhershmëm të Rregullores së Dublinit pasi duhet të realizojnë sisteme të riatdhetësimit të detyrueshëm për azilkërkuesit”, u shpreh Conte.

Kreu i ekzekutivit italian foli edhe për politikën e jashtëme, ku theksoi se Italia do të vijojë të jetë aleate e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por pranoi se është koha për të rishikuar sanksionet ndaj Rusisë.

“Sigurisht që Italia është dhe do të mbetet aleate e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, por ka ardhur koha të rishikohen sanksionet ndaj Rusisë. Unë mendoj se Italia duhet të heqë sanksionet ndaj atij shteti, pasi për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, ka nevojë për një qasje të re”, deklaroi Conte.

Top Channel