Putin viziton Austrinë: Rusia nuk synon të përçajë BE-në

05/06/2018 08:27

Përpara vizitës së tij në Austri, e para e tij në një vend të Europës Perëndimore në afro një vit, presidenti rus Vladimir Putin është shprehur se Rusia nuk po përpiqet të përçajë Bashkimin Europian.

Ai foli për stacionin televiziv austriak “ORF”, duke thënë se dëshiron një BE të bashkuar dhe të begatë, duke e quajtur madje bllokun si partnerin më të rëndësishëm ekonomik dhe tregtar të Rusisë.

Ai hodhi poshtë lidhjet e raportuara mes partisë së tij “Rusia e Bashkuar” me ekstremistët e djathtë austriakë “Partia e Lirisë”.

Putin do të takohet me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen, dhe Kancelarin Sebastian Kurz këtë të martë, sikurse edhe me krerë biznesesh.

“Sa më shumë probleme të ketë në zemër të Bashkimit Europian, aq më shumë probleme dhe rreziqe na kanosen neve, – deklaroi Putin. – Ne duhet të ngrejmë një urë të fortë bashkëpunimi me BE-në. Nuk kemi për objektiv të përçajmë diçka apo ndokënd në BE”.

Sanksionet e BE-së të vendosura ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe mbështetjes së separatistëve në lindje të Ukrainës, me gjasë do të bëhen pjesë e diskutimeve.

Marrëdhëniet e Rusisë me BE-në mbeten ende të vështira që prej përfshirjes së saj në Ukrainë, por edhe për rolin e Moskës në luftën civile të Sirisë dhe së fundi për tentativën për të helmuar ish-agjentin e dyfishtë rus, Sergei Skripal, dhe të bijën, në një qytet në jug të Anglisë.

Qeveria britanike e akuzon Rusinë se fshihet pas përpjekjes për vrasjen e Skripalëve, një akuzë që Kremlini e mohon. Koalicioni qeverisës austriak, ndërkohë, ishte një nga të paktat qeveri të BE-së që nuk tërhoqi diplomatë nga Rusia në shenjë proteste ndaj këtij pretendimi.

Top Channel