Kombëtarja gjermane e futbollit mori bekimin e Kancelares Angela Merkel për fushatën e Botërorit, që nis këtë muaj në Rusi, por zgjedhjet përfundimtare të përfaqësueses më të fortë të globit lënë vend për diskutime.
Trajneri Joachim Low, nën presion për të rikthyer ekipin në rrugën e duhur, pasi nuk fiton që prej muajit tetor, (barazim 1-1 me Spanjen dhe dy humbje, 1-0 me Brazilin dhe 2-1 me Austrine) vendosi të bëjë një zgjedhje të guximshme që shtangu tifozët.
“Sigurisht që ka ditë shumë më të bukura në jetën e një trajneri kombëtareje, por nëse të duhet të marrësh një vendim të dhimbshëm për të lënë në shtëpi 4 lojtarë, këtë gjë mund ta bësh vetëm përpara një Botërori (apo Europiani). Jam i bindur për cilësitë e atyre të katërve, kam folur me ta veçanërisht e më pas me grupin e plotë, e padyshim që zhgënjimi mes tyre është shumë i madh. Por, në këtë pikë nuk ka vend për vendime të lehta”, tha Low.
Në listë nuk mungon emri i Manuel Neuer, i cili ishte në dyshim deri para pak ditësh, por që duket se dha sinjalet e mjaftueshme për të qenë i grumbulluar me kombëtaren e “panzerave” në Kupën e Botës që do të nisë pak ditë më vonë në Rusi. Veç Neuerit, për portën do të jenë në dispozicion edhe Kevin Trapp dhe Marc-Andre ter Stegen. Në mbrojtje janë thirrur 8 futbollistë, duke nisur nga Hector, Hummels, Sule, Rudiger, Boateng, Kimmich, Ginter dhe në fund Plattenhardt.
Mungesa më e madhe mund të konsiderohet Leroy Sane, një futbollist që ka lënë gjurmë me Manchester Cityn në fitimin e Premier League. Por, mesfusha e sulmi i gjermanëve ka gjithsesi emra me shumë peshë, duke nisur nga Khedira, Draxler, Kroos, Werner, Ozil, Reus, Muller, Goretzka, Rudy, Brandt, Gungogan dhe Gomez.
Gjithçka në betejën për rikonfirmim në fronin e botës ngelet në këmbët e veteranit Gomez, debutuesit Werner, si dhe dyshes së konfirmuar Reus-Muller.
Top Channel