Në “Rrugën e Kombit” prej disa javësh vijon puna për të ndërtuar dhe zgjeruar zonën ku do të rinisë të paguhet taksa e kalimit.
Përveç “toll”-eve që ishin ndërtuar më parë dhe që u dëmtuan rëndë nga protesta e banorëve të Kukësit, koncesionari po zgjeron zonën e kalimit me pagesë, në mënyrë që brenda një kohe më të shkurtër të trajtohen më shumë mjet.e
Top Channel mëson se në javën që vjen qeveria do të paraqesë formën e re të pagesës së taksës së kalimit në rrugë, e cila do të ketë lehtësi veçanërisht për banorët e zonës dhe për përdoruesit e shpeshtë të rrugës.
Pas protestës së dhunshme, qeveria nisi bisedimet si me koncesionarin, ashtu edhe me banorët për të gjetur një zgjidhje. Detajet e formës së re ende nuk janë bërë të ditura, por ato do të mësohen shpejt, kur kalimi në “Rrugën e Kombit” të rinisë me pagesë.
Këto ditë, në fakt, fluksi nuk ka qenë shumë i lartë, siç ndodh në çdo fillim sezoni veror, por pas përfundimit të muajit të Ramazanit pritet që banorët e qyteteve dhe fshatrave të Kosovës të nisin të lëvizin për pushime apo edhe për fundjavë drejt plazheve të Shqipërisë.
Për të parë se si po ecën procesi i punës edhe në pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës, ambasadori shqiptar në Kosovë dhe ministri i Brendshëm i Kosovës bënë një inspektim.
Gjatë sezonit veror, në pikën e kufirit të Morinit ka një fluks të shtuar të lëvizjeve. Në fundjavë krijohen edhe radhë shumë të gjata.
Top Channel