Kryqe në çdo ndërtesë në Bavari. Reagime kundër edhe nga të krishterët

01/06/2018 15:37

Duke nisur nga e premtja, në muret e të gjitha ndërtesave publike të Bavarisë do të varen kryqe, një vendim që i ka lënë të habitur banorët, por edhe autoritetet lokale.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme rajonale bavareze, Martin Scholtysik e bëri të qartë se janë të përgatitur që do të kenë edhe reagime, por vendimi – theksoi ai, – do të hyjë në fuqi në mënyrën më serioze, edhe pse nuk përmendi ndonjë mundësi gjobash për ata që do të refuzojnë të binden.

Një hap i tillë do të thotë se, të gjithë ata që do të shkojnë të paguajnë taksat, do të raportojnë diçka në polici, apo do të hyjnë në një gjykatë administrative, do të përballen më së pari me figurën e kryqit.

Njoftimi e bën të qartë se një kryq i dukshëm duhet vendosur në hyrjen e çdo godine publike, për të shërbyer si kujtesë e ndikimit historik dhe kulturor të Bavarisë. Vendosjen e rregullores së re, kreu i Landit të Bavarisë, Markus Söder e kishte paralajmëruar që në fund të prillit, e komentet e tij ngjallën atëherë një debat të zjarrtë në mbarë Gjermaninë.

Ato tërhoqën kritika të ashpra edhe nga studentët, krerët e kishës protestante dhe Konferenca e Peshkopëve Katolikë gjermanë, që foli për shpërdorim të simbolit fetar.

Masa prek gjithashtu muzetë, teatrot, shkollat e universitetet. Muzetë e artit dhe institucionet kulturore janë ato që i kanë bërë në mënyrë të veçantë rezistencë vendosjes së kryqit nëpër holle, me argumentin se cënon misionin e punës së tyre.

Top Channel