Europa premton “hakmarrje” pas hyrjes në fuqi të tarifave tregtare nga SHBA

01/06/2018 09:07

Kori i kritikave ndaj tarifave të reja amerikane është instensifikuar, pasi indinjatës së Bashkimit Europian, Kanadasë e Meksikës i janë bashkuar edhe disa republikanë me peshë në Kongres.

“Nuk jam aspak dakord me këtë vendim”, deklaroi kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan. “Ky veprim ka shënjestruar aleatët e Amerikës në një kohë kur ne duhet të bashkëpunonim me ta për të zgjidhur çështjen e praktikave të pandershme tregtare të vendeve si Kina”, shtoi ai.

Edhe kryetari i Komisionit përgjegjës për Taksimin, Kevin Brady e bëri të qartë se këto tarifa po godasin shënjestrën e gabuar.

“Problemi nuk janë BE-ja, Kanadaja dhe Meksika. Problemi është Kina”, theksoi Brady.

Krerët e vendeve të prekura reaguan me zemërim, duke u betuar se do të përgjigjen me të njëjtën monedhë përmes tarifash që nisin nga çeliku e deri te stilolapsat.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ndryshe nga udhëheqës të tjerë europianë ka pasur një marrëdhënie mjaft të mirë me Trumpin, e cilësoi lëvizjen amerikane të paligjshme, e tha se BE-ja do t’i japë asaj “përgjigjen e merituar”.

Tarifat e reja hynë në fuqi pas mesnatës. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i justifikon ato me argumentin se prodhuesit amerikanë të çelikut dhe aluminit kanë rëndësi kyçe për sigurinë kombëtare, ndërsa marrëveshjet aktuale tregtare, sipas tij dëmtojnë kompanitë amerikane dhe Shtetet e Bashkuara humbasin vende pune.

Top Channel