Zgjedhjet e reja në Itali do të jenë referendum për euron

29/05/2018 11:19

Euroja duket se shmangu një plumb, kur koalicioni euroskeptik në Itali dështoi gjatë fundjavës, por kjo mund të rezultojë si hapi i parë drejt fitores në luftën për monedhën e përbashkët të Europës.

Presidenti italian refuzoi të dielën të zgjedhurin e “Lëvizjes 5 yjet” dhe “Lega Nord”-it për postin e ministrit të Ekonomisë, euroskeptikun Paolo Savona, pasi ky i fundit është shpehur se Italia duhet të largohet nga Eurozona.

Presidenti Sergio Mattarrela i kërkoi ish-ekonomistit të FMN-së, Carlo Cottarelli, të krijojë qeverinë, në atë që konsiderohet një lëvizje e përkohshme, pasi zgjedhjet e reja duken të pashmangshme tashmë.

Dy partitë që ishin rivale në zgjedhjet e marsit, “Lëvizja 5 yjet” dhe “Lega Nord” po konsiderojnë nëse duhet të bashkojnë forcat përpara zgjedhjeve të reja, që mund të mbahen në vjeshtë ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Udhëheqësi i “Lega Nord”-it, Matteo Salvini tha të hënën se zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë politike, por një referendum i vërtetë për qëndrimin në Eurozonë, mes atyre që duan ta shohin Italinë si një vend të lirë dhe të tjerëve që e duan atë të skllavëruar dhe servile, siç u shpreh ai.

“Sot Italia nuk është e lirë, është e pushtuar financiarisht nga gjermanët eurokratë”, ishin fjalët e Salvinit.

Euroja, obligacionet dhe aksionet në bursë fillimisht u rritën pasi presidenti Sergio Mattarella i vuri veton Savonës, por më pas tregjet iu frikësuan mundësisë për zgjedhje të parakohshme.

Edhe analistët mendojnë se zgjedhjet do të jenë në fakt një referendum “de facto” mbi Bashkimin Europian dhe Euron. Nëse italianët do të votojnë kundër unionit, kjo do të ishte sfida më e rëndë për bllokun që prej “Brexit”-it.

Top Channel