Porto Riko tronditet nga studimi i ri. “Maria” u mori jetën mbi 4.600 vetëve, jo 64!

29/05/2018 16:56

Kur kemi hyrë në javën e parë të sezonit të uraganëve në Amerikën Qendrore, ekspertët ende nuk kanë arritur në një bilanc përfundimtar mbi viktimat e shkaktuara nga uragani shkatërrimtar “Maria” i vitit të kaluar në Porto Riko.

E ndërsa zyrtarisht deri më sot flitej për të paktën 64 të vdekur, përllogaritjet e fundit e 70-fishojnë këtë shifër, duke e çuar numrin e të vdekurve në të paktën 4600, shumica e të cilëve për shkak të vonesave në ofrimin e kujdesit të domosdoshëm shëndetësor.

Banorët në Porto Riko ndërronin jetë me norma tejet të larta brenda 3 muajve të parë pas uraganit, ndryshe nga ç’kishte ndodhur më herët, sipas rezultateve të publikuara nga një studim i ri nga një grup i pavarur kërkuesish të një shkolle të Harvardit dhe institucioneve të tjera.

Studiuesit thonë se shifra e publikuar prej tyre këtë të martë në “New England Journal of Medicine” mbetet ende e pasaktë, pasi do të duhen ende studime të tjera më të thella. Por, gjetjet e tyre, që përfshinin metoda të papërdorura më parë në fatkeqësi natyrore, janë të rëndësishme mes shqetësimeve të mëdha se numri i viktimave të raportuar nga qeveria, pra 64 të vdekur, ishte nënvlerësuar ndjeshëm.

Erëra të fuqishme, përmbytje dhe rrëshqitje toke shkaktuan zhdukjen e dhjetëra shtëpive dhe ndërprerjen për një kohë të gjatë të energjisë elektrike, furnizimit me ujë të pijshëm apo shërbimit telefonik, të gjitha këto të pariparuara për muaj të tërë.

Një analizë e statistikave jetësore nga “New York Times”, dhjetorin e kaluar, zbuloi se 1.052 persona më shumë po vdisnin anembanë ishullit në 42 ditët e para post-stuhie. Disa organizata të tjera mediatike, përfshi edhe Qendrën e Gazetarisë Investigative të Porto Rikos dhe CNN, por edhe demografi Alexis Raul Santos nga Penn State, kanë kundërshtuar shifrën e qeverisë, duke gjetur prova për qindra viktima të tjerë në javët e para pas uraganit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA