Dy iranianë akuzohen për komplot terrorist ndaj komunitetit hebre në Mançester, dyshohet se përdorën aplikacione të koduara për të siguruar pajisje shpërthyese
Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy do të përballet me një mocion mosbesimi mbi lidershipin e tij të premten, pas dënimeve për korrupsion që morën dhjetëra persona të lidhur me partinë e tij të qendrës së djathtë, Partinë Popullore, duke kërcënuar kështu qeverisjen e tij 6-vjeçare.
Parlamenti spanjoll ra dakord këtë të hënë se, debati dhe votimi do të mbahen të enjten dhe të premten, megjithëse socialistët opozitarë, të cilët propozuan mocionin e mosbesimit, do të hasin vështirësi në sigurimin e mbështetjes së mjaftueshme në këtë legjislaturë të fragmentarizuar, për të rrëzuar Rajoyn.
Lajmi për hedhjen në votim të mocionit të mosbesimit kontribuoi në rritjen e huamarrjes qeveritare në nivelet më të larta të periudhës së fundit prej dy muajsh e gjysmë.
Partitë opozitare po shfrytëzojnë avantazhin e “dobësisë” së Rajoyt, pasi 29 persona të lidhur me partinë e tij u dënuan të enjten e kaluar për akuza të ndryshme, nga ndikimi i paligjshëm e deri te falsifikimi i llogarive, në kulmin e një gjyqi tejet të gjatë për korrupsion.
Partia e Popullit është përpjekur të shuajë lidhjet e Rajoyt me të dënuarit, teksa njoftoi të premten se kryeministri do të vijojë të kërkojë përfundimin e mandatit të tij 4-vjeçar, pasi dënimet e dhëna për korrupsion nuk ndikojnë asnjë pjesëtar të qeverisë së tij. 63-vjeçari i ka mbijetuar një tjetër mocioni mosbesimi qershorin e vitit të kaluar.
“Jemi thellësisht të zhgënjyer që ka njerëz, të cilët kanë përdorur Partinë e Popullit për pasurim vetjak”, tha zëdhënësi i partisë, Pablo Casado në një konferencë për shtyp të së hënës, duke shtuar se mocioni i mosbesimit ishte i papërgjegjshëm, pasi e vendos ekonominë spanjolle përballë rrezikut të destabilizimit.
Top Channel