Kanada, dy agresorë shpërthejnë bombë artizanale në restorant, 15 të plagosur

25/05/2018 10:09

Dy persona të paidentifikuar hynë në një restorant gjatë së enjtes në qytetin kanadez të Mississaugës, e aktivizuan një pajisje të improvizuar shpërthyese, duke plagosur 15 persona, për t’u arratisur më pas.

Shpërthimi ndodhi në restorantin “Bombay Bhel” rreth orës 22:30 të mbrëmjes me orën lokale. 15 të plagosurit u dërguan me urgjencë në spital, por vetëm 3 prej tyre kanë pësuar dëmtime kritike për jetën, siç njofton shpërbimi rajonal i ndihmës së shpejtë “Peel”.

Dy të dyshuarit u larguan në drejtim të paditur pasi aktivizuan bombën artizanale. Deri më tani askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, ndërsa motivi i tij mbetet ende mister.

Policia publikoi në rrjetin social “Twitter” foton e dy personave me kapuçë të zinj, që hynin në godinë. Njëri duket të ketë qenë duke mbajtur diçka në duar. Sipas policisë, njëri prej të dyshuarve besohet të jetë rreth të 20-ave, i shëndoshë dhe me një veshje të zezë që mbulon edhe fytyrën e tij. I dyti duket më i dobët dhe me xhinse ngjyrë blu të zbehtë, një bluze gri dhe me kapuç të zi mbi kokë, edhe ky me fytyrë të mbuluar.

Rrugët përreth restorantit u mbyllën, ndërsa prania policore në vendngjarje ishte tejet e madhe, shoqëruar me pjesëmarrjen e oficerëve të armatosur rëndë, si pjesë e kundërpërgjigjes së emergjencës.

Sulmi në Mississauga erdhi një muaj pasi një pilot përplasi kamionçinën e tij të marrë me qira “Ryder”, drejt një restoranti të mbipopulluar në Toronto, duke vrarë 10 persona e duke plagosur 15 të tjerë.

Mississauga është qyteti i 6 më i madh i Kanadasë, me një popullsi prej 700 mijë banorësh, i ndodhur buzë liqenit Ontario, rreth 32 km në perëndim të Torontos. “Bombay Bhel” është pjesë e një rrjeti restorantesh indiane.

FOTO GALERI
2/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA