Përkujtohet përvjetori i parë i sulmit në Manchester Arena

22/05/2018 09:45

Ariana Grande ishte e para, që përmes një mesazhi në “Twitter” donte të rikujtonte viktimat dhe të prekurit e sulmit terrorist në një prej koncerteve të saj, të zhvilluar në Manchester të Britanisë së Madhe.

“Me mendjen te ju të gjithë”, shkruante këngëtarja përpara kësaj të marte, kur do të shënohet edhe përvjetori i parë i atij sulmi, që la 22 persona të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur, në momentin kur Salman Abedi do të aktivizonte bombën në përfundim të një prej koncerteve të saj të 22 majit 2017.

Mes shfaqjeve që do të mbahen sot është edhe një shërbesë në Katedralen e Manchesterit, në orën 14 me atë britanike. Ndërkohë në orën 14:30 do të mbahet një minutë heshtjeje kombëtare në nder të viktimave.

Grande, e cila u rikthye sërish në Manchester për koncertin e titulluar “One Love” në më pak se dy javë pas sulmit, shkroi në rrjetin social: Ju dua me të gjithë qenien time, e ju dërgoj të gjithë dashamirësinë e ngrohtësinë që mundem, në këtë ditë sfiduese.

Kryebashkiaku i Greater Manchester, Andy Burnham shprehu gjithashtu mbështetjen e tij për cilindo të prekur nga ai shpërthim fatal.

“Sot mblidhemi bashkë për të rikujtuar secilin prej 22 personave, jetët e të cilëve u morën përpara kohe”.

E ndërsa dita përkujtimore afronte, njerëzit e angazhuar atë natë japin përshtypjet mbi ngjarjet që pasuan. Dan Smith, një ndihmësmjek që u gjend në vendin e ngjarjes, tha se kjo e sotmja do të jetë një “ditë e vështirë”.

Kryeministrja Theresa May dhe Princi William do t’iu bashkohen familjeve të viktimave dhe punonjësve të emergjencave, të cilët shkuan në ndihmë të të prekurve. Pjesëmarrja është vetëm me ftesa, por njerëzit e thjeshtë do të mund të shohin shërbesën kishtare në një ekran gjigant të vendosur në kopshtin e Katedrales, por edhe në ekranet e York Minster, Katedralen metropolitane të Liverpoolit dhe atë të Glasgowt.

Një tjetër shfaqje, “Manchester Together with One voice” do të mbahet mes orës 19 dhe 21, e do të mbledhë koret e qytetit dhe përtej tij. Gjysmëorëshi i fundit do të jetë më pas një transmetim i drejtpërdrejt në BBC Radio Manchester.

Familjet e 22 viktimave u ftuan të përzgjedhin tekstet e këngëve, ndërsa publikut të gjerë iu kërkua të bëjë sugjerime “online”. Kreu i Këshillit të Qytetit të Manchesterit, Sir Richard Leese tha se muzika ishte e ngulur thellë në shpirtrat e Manchesterit, e kjo gjë u pa edhe pas sulmit.

Në orën 22:31, kambanat në qendër të qytetit do të kumbojnë për të shënuar momentin e shpërthimit. Projektet, gjithsesi do të vazhdojnë nga kjo e martë deri të shtunën, me tekste këngësh që do të projektohen në kishën “St. Ann” dhe pjesë të tjera të sheshit përreth saj.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA