Pence paralajmëron Kim Jong-unin: Mos luaj me Trumpin!

22/05/2018 08:54

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence paralajmëroi liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un që të mos përpiqet të mashtrojë Presidentin Donald Trump nëse ata takohen muajin e ardhshëm.

Pence tha se një lëvizje e tillë do të ishte një gabim i madh nga lideri koreano-verior. Komentet e Pence vijnë ndërsa mediat amerikane raportojnë se nëpunësit e administratës Trump po bëhen gjithnjë e më skeptikë për mundësinë e zhvillimit të takimit mes dy liderëve, megjithëse përgatitjet vazhdojnë.

Pence, në intervistën e tij për “Fox News”, tha se nëse Koreja e Veriut nuk bën një marrëveshje bërthamore, ajo mund të përfundojë si Libia, duke kërcënuar hapur regjimin e Penianit. Ish-lideri i Libisë, Muamar Gadafi bëri një marrëveshje me Perëndimin në vitin 2003 për t’i dhënë fund programit të tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve dhe 8 vjet më vonë u vra nga rebelët që mbështeteshin nga Perëndimi.

“Ne shpresojmë për një zgjidhje paqësore. Presidenti është i hapur për zhvillimin e samitit dhe do të vazhdojë në këtë rrugë, pa ndryshuar pozicionin për çarmatosje të plotë bërthamore dhe pa hequr dorë nga fushata ekstreme e presionit që po ushtrojmë”, theksoi Pence.

Zëvendëspresidenti tha gjithashtu se Trump është i gatshëm të braktisë takimin, pasi nuk shqetësohet për marrëdhëniet me publikun, por për paqen. Sipas “New York Times”, Presidenti amerikan po pyet të gjithë këshilltarët e tij nëse duhet të vazhdojë me planin për t’u takuar me Kim Jong-unin apo jo.

Top Channel