LeBron James konfirmoi se pseudonimi “Mbreti” i përshtatet mjaft mirë.
Ylli i Cleveland Cavaliers drejtoi skuadrën e tij drejt fitores 111-102 në ndeshjen e katërt ndaj Boston Celtics, në finalen e Konferencës së Lindjes, duke bërë që seria e sfidave mes këtyre skuadrave të barazohet në 2-2.
LeBron James shënoi 44 pikë në këtë ndeshje, duke kaluar legjendën Karim Abdul Jabbar përsa u përket pikëve të shënuar nëpërmjet aksioneve në historinë e “playoff”-it me 2356 të tillë. Për më tepër, kjo ishte ndeshja e 25 e James në karrierë që shënon të paktën 40 pikë përsa i përket fazës së “playoff”-it.
Në “Quicken Loans Arena”, Cleveland hyri në fushën e lojës me idenë për të fituar me çdo kusht dhe për të barazuar situatën në këtë finale të Konferencës së Lindjes. Pas një fillimi të ekuilibruar të ndeshjes, Cavaliers arriti të gjejë ritmin e duhur për të fituar këtë ndeshje, të cilën për pjesën më të madhe të kohës skuadra nga Ohajo e kishte në kontrollin e saj.
Perioda e parë u mbyll me rezultatin 34-18 për nënkampionët e NBA. Bostoni nuk bëri dot shumë dhe vetëm në raste sporadike arrinte të shkurtonte diferencën. Kjo edhe për meritë të Cleveland, që nuk e lejoi asnjëherë Celtics të afrohej shumë duke e mbajtur të pandryshuar diferencën e pikëve edhe në periodën e dytë, për ta mbyllur pjesën e parë 68-53.
Në dy periodat e tjera, Bostoni krijoi një avantazh të lehtë, por që nuk i prishi punë Clevelandit, që mori këtë fitore të rëndësishme. Ndeshja e pestë mes Bostonit dhe Cleveland do të luhet në shtëpinë e Celtics, “TD Garden”, aty ku kjo skuadër ka regjistruar një bilanc me 9 fitore e asnjë humbje.
Top Channel