Akuza Britanisë: Rusinë e sulmon, por paratë ruse i do!

21/05/2018 09:05

Rusinë e sulmojnë, por paratë ruse i duan! Britania e Madhe është akuzuar se ka mbyllur njërin sy përpara parave “të pista” të Moskës, duke vënë kështu në rrezik sigurinë kombëtare.

Komisioni i Çështjeve të Jashtme në Dhomën e Komunëve thotë në raportin e tij të fundit se, Londra po përdoret për të fshehur “asetet e korrupsionit” të presidentit Vladimir Putin dhe aleatëve të tij.

Kjo veprimtari vazhdon e pashqetësuar – sipas komisionit, – pavarësisht skandalit të helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe të bijës, që sollën një valë të ashpër reagimesh diplomatike, si të Britanisë, ashtu dhe të mjaft vendeve të tjera europiane, përfshirë Shqipërinë.

“Një gjë e tillë, – thuhet në raport, – minon përpjekjet britanike për t’i bërë ballë spektrit të plotë të masave ofensive të Putinit”.

“Përgjigjja letargjike e Britanisë, – shkruante në një letër të hapur për “Sunday Times” kryetari i komisionit, ligjvënësi konservator Tom Tugendhat, përpara publikimit të raportit, – po merret si dëshmi e faktit që ne nuk guxojmë t’i ndalojmë rusët”.

“Janë tregjet e Londrës që po i lejojnë Kremlinit veprimin”, vazhdon ai. Dokumenti i titulluar “Ari i Moskës: Korrupsioni rus në Mbretërinë e Bashkuar” thekson se, gjiganti rus i gazit “Gazprom” ishte në gjendje të shkëmbente obligacione në Londër vetëm disa ditë pas përpjekjes për vrasjen e Skripalit.

Kjo duket se e kishte shtyrë Ambasadën ruse në Londër të publikonte në “Twitter” mesazhin: Biznes si zakonisht?

Raporti, në fund i kërkon qeverisë të tregojë një “lidership të fuqishëm politik” mbi këtë çështje, duke hedhur një sërë hapash konkretë, përfshirë përshpejtimin e planeve që parashikojnë transparencë pronësie për korporatat.

Top Channel