Hetimi i BBC-së: Pasaporta false të BE-së në Turqi

18/05/2018 09:46

Të marrësh një pasaportë të një vendi të Bashkimit Europian në Turqi është më e lehtë nga sa mendohet.

Gazetarja e BBC-së, Nawal al Maghafi u hoq si një prej personave që duan të sigurojnë dorazi një pasaportë të tillë.

“Ka shumë grupe në Facebook, – shpjegon ajo, – përmes të cilave njerëzit shesin e blejnë dokumente udhëtimi dhe karta europiane identiteti”.

Njëri prej tyre, aty ku klikoi reporterja, kishte rreth 5.000 pjesëtarë aktivë. Ajo thjesht postoi një mesazh ku kërkohej pasaportë për dikë që është diku te 30 vjeç.

Brenda disa orëve mori dhjetëra përgjigje. Nawal dhe një koleg i saj u hoqën si një çift sirian që kërkonin të shkonin në Europë. Nëpërmjet Facebookut u orientuan të takohen me një person që e quan veten “sekseri”. Ai dhe bashkëpunëtori i tij i thanë se kishin dhjetëra dokumente për shitje.

“Pasaportat funksionojnë ende brenda vendeve të BE-së. Nuk do të keni asnjë problem nëse i përdorni. Janë 100% origjinale”, tha “sekseri”.

Pasaportat janë blerë nga refugjatë që kanë vendosur ta lënë Europën. “Sekseri” shpjegon se nuk i gjenden pasaporta britanike, të cilat sipas tij janë më të shtrenjtat dhe mund të shkojnë deri në 15 mijë euro.

Pas disa orësh, Nawal dhe kolegu pajisen me dokumente gjermane udhëtimi për refugjatët, të njohur ndryshe edhe si “pasaporta blu”. Një proces tejet i thjeshtë për të shtënë në duar kështu një dokument, që praktikisht lejon udhëtimin në të gjithë zonën e “Schengen”-it, i cili po kaq i lehtë sa ç’është për një njeri normal, do të ishte edhe për një terrorist.

Top Channel