Masakra në kufi, “lumë” kritikash të ashpra ndaj Izraelit

15/05/2018 16:49

Kritikat e ashpra ndërkombëtare për vrasjen e 59 protestuesve palestinezë nga Izraeli, në Rripin e Gazës, sa vijnë e shtohen, ndërsa me mijëra u mblodhën në enklavën bregdetare për të varrosur viktimat e “raundit” më të fundit të dhunës.

Vrasjet u kryen të hënën gjatë protestave në gardhin kufitar mes Gazës dhe Izraelit, të cilat përkuan edhe me hapjen e Ambasadës amerikane në Jeruzalem, gjë që përshkallëzoi tensionin dhe përballjet.

Komisioneri i lartë i të Drejtave të Njeriut në OKB, Zeid Ra’ad al-Hussein tha se ata që janë përgjegjës për këto shkelje të qarta të të drejtave të njeriut duhet të japin llogari.

Zyrtarë të tjerë të OKB-së i cilësuan vrasjet e palestinezëve si krime të tmerrshme, ndërsa thanë se është e papranueshme, që thjesht afrimi te gardhi kufitar të justifikojë vrasjen e protestuesve nga ushtria izraelite.

Në të njëjtën linjë, presidenti francez Emmanuel Macron dënoi dhunën e ushtrisë ndaj protestuesve, si dhe transferimin e Ambasadës amerikane në Jeruzalem.

Ndërkohë, Irlanda thirri ambasadorin izraelit për të protestuar kundër vrasjeve, ndërsa Rusia dhe Kina shprehën shqetësimin e tyre të thellë për vrasjen e civilëve të paarmatosur.

Varrimet e tyre përkojnë me përvjetorin e 70 të asaj që palestinezët e quajnë “Nakba”, ose “Katastrofa”, kur mbi 700 mijë njerëz ia mbathën apo u dëbuan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës së vitit 1948, që solli krijimin e shtetit të Izraelit.

Ndërsa ceremonitë funebër kryheshin, mediet botërore shfaqnin pamje të dhunës së ditës së hënë përkrah pamjeve të përurimit të Ambasadës amerikane në një lagje luksoze të Jeruzalemit, vetëm 100 km larg kufirit të përgjakur.

Top Channel