Itali, Salvini dhe Di Maio kërkojnë më shumë kohë për qeverinë

15/05/2018 11:44

Lëvizja “Pesë Yjet” në Itali dhe Lega Nord e ekstremit të djathtë, kanë kërkuar më shumë kohë për të krijuar një qeveri, ndërsa po adresojnë dallimet politike mes tyre.

Mateo Salvini, lideri i Legës dhe homologu i tij nga lëvizja “Pesë Yjet”, Luigi Di Maio, pritej t’i prezantonin programin e tyre Presidentit të vendit, Sergio Mattarella dhe të zgjidhnin një kryeministër të hënën. Di Maio ishte i pari që foli me Mattarellën dhe tha pas takimit se nevojiteshin edhe disa ditë për të finalizuar kontratën qeverisëse, që përfshin edhe reforma si rritje e moshës së daljes në pension e të tjera që synojnë të luftojnë korrupsionin dhe evazionin fiskal.

“Ne ramë dakord që të vijojmë më shpejt me shkrimin e programit për pesë vitet e ardhshme. Është e rëndësishme që ta bëjmë këtë sa më mirë që mundemi, ndaj kemi kërkuar edhe disa ditë kohë”, deklaroi Di Maio.

Komentet nga Salvini treguan se partitë, që bashkarisht kanë marrë më shumë se 50% të votave në zgjedhjet e marsit, duhet ende të arrijnë një kompromis mbi çështje të ndryshme, kryesisht mbi emigracionin.

“Nëse unë shkoj në qeveri, dua të realizoj premtimet e mia. Gjëja e fundit që dua është të mos përmbush atë çka i kam thënë italianëve”, u shpreh Salvini.

Si ai, ashtu edhe Di Maio, nuk kanë dhënë ende asnjë emër të preferuar për kryeministrin e ardhshëm, çka tregon se nuk po munden të bien dakord se kush do të udhëheqë qeverinë e tyre të koalicionit. Sipas Di Maios, kandidati duhet të jetë një politikan, jo teknicien.

Top Channel