Melania Trump operohet për një problem në veshka

14/05/2018 22:47

Melania Trump i është nënshtruar një procedure të specializuar shëndetësore mëngjesin e së martës, për të trajtuar atë që raportohet si një tumor beninj në veshka, e me shumë gjasë do të qëndrojë e shtruar në spital për pjesën e mbetur të javës, njofton Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Donald Trump pritet ta vizitojë bashkëshorten e tij në Qendrën Mjekësore “Walter Reed” në periferi të Uashingtonit më vonë gjatë ditës, sipas një zyrtari të paautorizuar për të zbuluar planet, i cili ka folur në kushte anonimati për “Associated Press”.

Zëdhënësja e saj, Stephanie Grisham tha se procedura e ndjekur nga Zonja e Parë 48-vjeçare ka kaluar me sukses dhe pa pasur komplikacione. Shtëpia e Bardhë, gjithsesi nuk jep asnjë detaj mbi gjendjen shëndetësore të Melanias.

Ajo është parë për herë të fundit në publik ditën e mërkurë të javës së kaluar, gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë ku ajo iu bashkua presidentit për të nderuar nënat dhe gratë e ushtarakëve në Ditën e Nënave.

Zonja Trump ka organizuar së fundi darkën e parë shtetërore, ndërsa lançoi edhe një fushatë ndërgjegjësuese publike në ndihmë të fëmijëve, fushatë që quhet “Be Best” dhe që do të fokusohet në mirëqenien e të vegjëlve, përdorimin e medieve sociale dhe abuzimin me opioidet.

Zonja e Parë jetoi në Nju Jork gjatë muajve të parë të administratës “Trump”, në mënyrë që djali 12-vjeçar i çiftit, Barron, të mos ndryshonte shkollën në mesin e vitit shkollor. Më pas, qershorin e kaluar ajo u zhvendos bashkë me të birin në Shtëpinë e Bardhë.

Top Channel