Jeruzalem, hapet Ambasada e SHBA; 52 palestinezë të vrarë

14/05/2018 16:30

Një përpjekje masive nga palestinezët për të kaluar rrethimet kufitare që ndajnë Izraelin nga Gaza, shpejt u kthyen në skena të dhunshme, teksa ushtarët izraelitë u përgjigjën me zjarr. E hëna u kthye shumë shpejt në ditën e vetme më të përgjakshme që prej nisjes së fushatës së demonstratave rreth 7 javë më parë, për të protestuar ndaj bllokadës ekonomike izraelite ndaj Gazës.

Dhjetëra mijëra palestinezë morën pjesë në protestat në Gaza, që u përhapën gjatë kësaj të hëne edhe në Bregun Perëndimor, në kundërshtim të zhvendosjes së Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem.

Plot 52 palestinezë, përfshi edhe disa adoleshentë, mbetën të vrarë gjatë ditës së sotme, ndërsa 2.400 të tjerë u plagosën në Gaza sipas Ministrisë së Shëndetësisë, duke e kthyer të hënën në ditën më të përgjakshme të javëve të fundit të demonstratave.

Ushtarë izraelitë dhe snajperë përdorën të gjitha mjetet në dispozicion për t’i mbajtur protestuesit larg nga territori izraelit.

Ushtria hebreje deklaroi se disa persona në turma kanë montuar edhe eksplozivë, ndërsa disa të tjerë kanë hedhur bomba molotov drejt Izraelit. Jashtë qytetit Nahal Oz kibbutz, punonjës të emergjencave nxituan të shuanin një zjarr të fuqishëm të shkaktuar nga flakëhedhëset.

Pas mesdite, protestat pranë qytetit të Gazës u kthyen në një fushëbetejë, një pamje kaotike mes tymit, sirenave të alarmit dhe gazit lotsjellës që mbuloi thuajse të gjithë perimetrin përreth kufirit.

Mijëra protestues u dyndën pranë barrierave. Izraelitët u kundërpërgjigjën me prita, gaz lotsjellës dhe të shtëna armësh.

I gjithë aksioni nisi në mesditë, kur turmat e përhapura në vetëm pak metra larg u mblodhën shumë pranë. Shpesh protesta udhëhiqej nga femra të veshura me të zeza, me flamuj palestinezë në duar.

E gjithë ngjarja erdhi teksa zyrtarë amerikanë dhe izraelitë përgatiteshin për të kremtuar përmbushjen e premtimit të Donald Trump për ta zhvendosur Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem. Shumë izraelitë e shohin këtë si njohje se Jeruzalemi është kryeqytet i Izraelit, ndërsa palestinezët, që pretendojnë që pjesa lindore e qytetit të jetë kryeqyteti i shtetit të ardhshëm të Palestinës e shohin thjesht si një zhvlerësim i rolit ndërmjetësues të Amerikës në të ardhmen e rajonit.

Ambasada u hap në orën 16:00 me atë lokale, me pjesëmarrjen e Sekretarit amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin, vajzës së presidentit Trump, Ivanka, dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, mes shumë figurave të tjera të shquara, sikurse edhe një kontigjent ligjvënësish republikanë.

Zhvendosja në Jeruzalem reflekton edhe aleancën e ngushtë mes Trumpit dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu.

FOTO GALERI
6/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA