Sulme ndaj kishave në Indonezi, të paktën 11 të vdekur

13/05/2018 08:25

Kamikazë, të frymëzuar me shumë gjasë nga Shteti Islamik, kanë sulmuar 3 kisha në qytetin e dytë më të madh të Indonezisë, Surabaya, duke u marrë jetën të paktën 11 njerëzve, e duke lënë të plagosur rreth 40 të tjerë, në sulmet që ndodhën në një hark kohor prej disa minutash nga njëri-tjetri.

Ende asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmeve, ndërsa pamjet televizive shfaqën rrënojat e shpërndara përreth hyrjes së njërës prej kishave.

Indonezia, një vend me shumicë myslimane, ka njohur një përshkallëzim të militantizmit islamik muajt e fundit. Sulmet ndodhën rreth orës 7:30 të mëngjesit, me atë lokale, ndërsa raportime të pakonfirmuara zyrtarisht thonë se një prej agresorëve ishte femër, që hyri në kishë me fëmijë.

Zyrtarët vendas, gjithsesi thonë se kanë zmbrapsur sulme të ngjashme në disa kisha të tjera, gjë që do ta bënte bilancin edhe më të rëndë.

Agjencia indoneziane e shërbimeve sekrete njoftoi se sulmi, me shumë gjasë mund të jetë kryer nga një grup i frymëzuar nga Shteti Islamik, “Jemaah Ansharut Daulah”, teksa i lidhi ato me një ngjarje të disa ditëve më herët.

Në fillim të muajit, 5 pjesëtarë të forcave indoneziane të sigurisë u vranë gjatë një përleshjeje 36-orëshe me militantë islamikë të burgosur në një burg të sigurisë së lartë, në periferi të kryeqytetit Jakarta.

Sulmet e së dielës janë më vdekjeprurëset që prej vitit 2005, kur 3 kamikazë hodhën veten në erë në ishullin turistik të Balit, duke vrarë 20 persona.

Top Channel