Lacio ka bërë pikërisht atë që besonte edhe tifozi më optimisit i Interit. Skuadra e Simone Inzaghit ka lënë për në javë të fundit përcaktimin nëse do të jetë ajo në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm, apo zikaltërit.
Në sfidën ndaj Krotones lacialëve u duheshin tri pikët për të siguruar të paktën vendin e katërt në renditjen e përgjithshme të Serisë A. Por, nga tre pikë, u largua prej andej me vetëm një.
Luliç shënoi në minutën e 17-të nga pika e bardhë e penalltisë dhe u duk se gjërat u bënë më të thjeshta për Simone Inzaghin. Por, nuk mendonte kështu Krotone e drejtuar nga Valter Zenga.
Vendasit barazuan në minutën e 29 me anë të Simy për të shkuar në pjesën e parë në barazpeshë të plotë. Nuk u ndalën me kaq! 15 minuta nga nisja e të dytës, Federico Ceccherini shënon golin e dytë dhe largoi përkohësisht skuadrën nga zona e ftohtë e rënies nga kategoria. Pesë minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, ishte Milinkovic-Saviç ai që barazoi për Lacion, për t’u larguar me një pikë pa vlerë për të dyja skuadrat.
Lacios do t’i duhet sërish që të shmangë humbjen në javën e fundit ndaj Interit në Olimpiko nëse kërkon që të jetë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërkohë që Krotones i duhet një tjetër mrekulli për të shpëtuar; të mposhtë Napolin në San Paolo.
Top Channel