Operacion antiterror në Itali, 14 të arrestuar: Financonin “Al Nusra”-n

10/05/2018 10:00

Plot 14 persona ranë në pranga në Itali, në kuadër të një operacioni masiv kundër terrorizmit.

Dy hetime të ndara të policisë dhe “Guardia di Finanza”-s së Sardenjës dhe Lombardisë, të koordinuara nga Prokuroria Kombëtare, dolën në përfundimin se të dyshuarit financonin grupin terrorist “Al Nusra” në Siri.

Forcat e policisë italiane u hodhën në veprim njëkohësisht në disa qytete të vendit, duke arrestuar të dyshuarit.

Sipas hetuesve, bëhet fjalë për dy organizata që vepronin në Itali në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, por kishin një person që mbante kontaktet.

14 të arrestuarit janë sirianë dhe marokenë, të cilët akuzohen se grumbullonin fonde në komunitetet islamike në Itali dhe më pas i dërgonin paratë në Siri, për të mbështetur grupet terroriste si “Jabbat al Nusra”.

Mësohet se të arrestuarit e ushtronin këtë aktivitet edhe në vende të tjera europiane, si në Suedi, Hungari dhe Turqi.

Top Channel