Zjarre ‘seriale’ në Romë; Një tjetër autobus në flakë

09/05/2018 03:25

Një autobus urban u përfshi nga flakët në një kryeqytet evropian, por askujt në Romë nuk i shkoi mendja për sulm terrorist. Në fakt, romanët drejtuan gishtin nga autoriteti i transportit në qytet, Atac.

Zjarri në autobusin 63 që shpërtheu në rrugën tritone, ishte i nënti këtë vit për Romën. 22 të tjerë u dogjën gjatë vitit 2017 në kryeqytetin italian. Autobusët që digjen janë bërë kaq të zakonshëm në Romë, saqë kanë edhe hashtagun e tyre, flambus, një nofkë që rimon me Trambus, emri i dikurshëm i kompanisë shtetërore Atac.

Kjo e fundit fajëson flotën e vjetëruar të autobusëve për incidentet që përsëriten. Fatmirësisht, pavarësisht dhjetrave autobusëve të djegur, asnjë person nuk është plagosur apo ka humbur jetën. Romanët kanë shfrytëzuar mundësinë për të bërë humor, duke thënë se edhe zjarret janë të ngadalta si rinovimi i autobusëve, megjithëse pranojnë se rreziku është i madh dhe herët apo vonë, nëse nuk bëhet asgjë, do të ketë viktima.

Si herët e tjera, hetuesit e policisë gjetën shumë shpejt shkakun e zjarrit, një defekt teknik për shkak të moshës së madhe të autobusit, mbi 15 vjet. Akuzat bien fort mbi kryebashkiaken e Romës Virginia Raggi nga lëvizja 5 yjet. Batuta më e pëlqyer në rrjetet sociale që ironizonte kryebashkiaken thoshte: As Neroni nuk i ka bërë Romës atë që po i bën Virxhina Raggi.

Top Channel