Tensione në Lartësitë Golan, Siria fajëson Izraelin për sulme ajrore

09/05/2018 09:47

Media shtetërore siriane akuzoi Izraelin për një sulm ajror ndaj pozicioneve ushtarake në jug të kryeqytetit Damask. Agjencia e lajmeve “SANA” bëri të ditur se sistemi sirian i mbrojtjes antiajrore kishte rrëzuar dy raketa izraelite në zonën e Kisëahut, gjatë së martës.

Viktima nuk u shkaktuan sipas saj, por grupi monitorues i luftës në Siri tha se të paktën 9 forca proqeveritare janë vrarë, përfshi këtu edhe luftëtarë të mbështetur nga Irani. Më herët gjatë së martës pati raportime edhe për një shpërthim të zhurmshëm në një bazë ushtarake në këtë zonë.

Një komandant mbështetës i presidentit Bashar al-Assad i tha agjencisë “Reuters” se sulmi kishte pasur për objektiv pozicionet ushtarake siriane.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, grup monitorues me seli në Londër, njoftoi gjithashtu se në shënjestër ishin depot e armatimeve.

Mes viktimave ishin edhe pjesëtarë të Gardes Revolucionare të Iranit dhe milicive të tjera shiite.

Izraeli nuk i ka komentuar këto raporte, por njoftoi se do të ndalë me çdo kusht atë që e konsideroi si “zgjatim” ushtarak iranian në Siri.

Irani ka mbështetur qeverinë siriane gjatë luftës civile 7-vjeçare në vend, duke dërguar atje qindra këshilltarë ushtarakë dhe mijëra milicë. Republika Islamike raportohet gjithashtu të ketë ngritur edhe një bazë ushtarake në këtë zonë, pikërisht aty ku u krye edhe sulmi ajror i së martës.

Vitin e kaluar, një burim i shërbimeve sekrete perëndimore i tha BBC-së se ushtria iraniane kishte ngritur një bazë në një vendndodhje të përdorur nga ushtria siriane pranë Kisëahut. Irani është zotuar të hakmerret për sulmet ajrore të fundit mbi asetet ushtarake të saj në Siri, të cilat iu atribuuan Izraelit.

Tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan të martën, kur Izraeli diktoi një “aktivitet të paligjshëm iranian” në rajonin e Lartësive Golan të Sirisë, të pushtuara nga vendi hebre. Kjo bëri që zona në fjalë, pjesë e territorit sirian por nën kontrollin e Izraelit, të vihej në gjendje gatishmërie maksimale dhe aktivizoi edhe strehimet kundër bombave.

Jonathan Conricus, një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se “çdo agresion ndaj Izraelit do të ketë si kundërpërgjigje një reagim të ashpër”. Media izraelite njoftoi se ishte hera e parë që u lëshua një urdhër për përgatitjen e strehimeve kundër bombardimeve në zonën e pushtuar, që prej fillimit të luftës civile siriane. Zhvillimet erdhën vetëm pak pasi presidenti Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Top Channel