Dita e Europës, kremtohet përvjetori i deklaratës së Schumanit

09/05/2018 10:07

Kremtimet e Ditës së Europës kanë nisur që më 5 maj në Bruksel, për të vazhduar këtë të mërkurë në Luksemburg, e më 10 qershor në Strasburg me çeljen e dyerve të instutcioneve të BE-së për publikun e gjerë.

Çdo vit, me mijëra vetë marrin pjesë në vizita, debate, koncerte dhe shfaqje të tjera të organizuara për shënimin e kësaj dite, e për të rritur ndërgjegjësimin mbi bllokun europian. Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini dha mesazhin e saj.

“Në botën e sotme, Bashkimi Europian është më i nevojshëm se kurrë. Është i domosdoshëm për qytetarët tanë, të cilëve u lipsen rritje ekonomike, vende pune, siguri, mundësi dhe të drejta. Ne përballemi me gjigantë ekonomikë, ndaj duhet të jemi një gjigant edhe vet, që t’iu bëjmë ballë sfidave e të përfitojmë nga mundësitë”, tha Mogherini.

“9 Maji” sjell përvjetorin e deklaratës së Schumanit, si kremtim i paqes dhe unitetit në Europë.

Në një fjalim në Paris, në vitin 1950, Robert Schuman, asokohe ministër i Jashtëm i Francës, parashtroi idenë e një forme të re bashkëpunimi politik në Europë, e cila ta bënte të paimagjinueshme luftën mes kombeve europiane.

Vizioni i tij ishte krijimi i një institucioni europian, i cili të afronte përpjekjet dhe menaxhimin e prodhimit të qymyrit e çelikut.

Traktati që do të krijonte një organizëm të tillë u firmos vetëm një vit më vonë. Propozimi i Schumanit konsiderohet si fillesa e asaj që është sot BE-ja. Zyrtarisht, kjo ditë u njoh nga Parlamenti Europian në vitin 2008.

Gjermania ka zgjedhur ta kapërcejë traditën, duke i kushtuar ngjarjes një javë të tërë shfaqjesh, të përqëndruara të gjitha te “9 Maji”. Festimet e sivjetshme të delegacioneve të BE-së në mbarë kontinentin e vjetër fokusohen te trashëgimia kulturore.

Skocia e shënon Ditën e Europës me një panair në Glasgow, ku 15 vende do të përdorin stendat e tyre për të promovuar gjuhën, kombin dhe kulturën e vet. Kjo e fundit do të dëshmohet edhe përmes muzikës e kërcimit.

Festimet në mbarë Europën përfshijnë edhe organizimin e minitregjeve me produkte tipike europiane, si dhe shfaqje që t’i ndihmojnë njerëzit të ndihen sa më pranë trashëgimisë së tyre kulturore.

Top Channel