Dështojnë bisedimet e presidentit me partitë politike, Italia shkon drejt zgjedhjeve

08/05/2018 05:43

Dështimi i bisedimeve të koalicionit e përball Italianë me mundësinë e zgjedhjeve të reja, data e mundshme e mbajtjes së të cilave përmendet 22 korriku.

Presidenti Sergio Mattarella njoftoi të hënën se, vetëm dy opsione kishin mbetur pas raundit të fundit e të pasuksesshëm të negociatave: një qeveri e përkohshme, e cila ta drejtojë vendin deri në fund të vitit, ose përsëritja e votimit.

Zgjedhjet e përgjithshme të marsit nuk i fitoi dot asnjë parti e vetme apo aleancë. Dy forcat më me ndikim politik në Itali sot, “Lëvizja 5 yjet” dhe “Lega Nord” e favorizojnë mbajtjen e një votimit të ri pas dy muajsh, megjithatë fjala e fundit i mbetet për çdo rast kreut të shtetit.

Pavarësisht përpjekjeve dhe lëshimeve të minutës së fundit, “5 yjet” nuk arritën të bashkonin dot forcat as me “Lega Nord” e as me Partinë Demokratike të qendrës së majtë.

Tentativat e mëhershme, për fundin e ngërçit të krijuar nga zgjedhjet e 4 marsit, që nuk prodhuan një fitues të qartë, panë pozicionet e partive të mbeteshin gjerësisht të pandryshuara, gjë që e vështirësoi së tepërmi krijimin e një koalicioni, i cili të merrte në duar drejtimin e vendit.

Sipas Mattarellës, qeveria e përkohshme do të përbëhej nga ekspertë të politikës të caktuar nga ai vet dhe do të kishte përgjegjësinë e hartimit të buxhetit 2019, me qëllim shmangien e efekteve të natyrës së recesionit nga rritja e planifikuar e taksave të shitjeve.

Një ekzekutiv i tillë do të zgjaste deri në fund të vitit, e pastaj do të shpërbëhej përpara zgjedhjeve që do të mbaheshin, në atë rast, nga fillimi i vitit 2019, por as “Lëvizja 5 yjet” dhe as “Lega Nord” nuk kanë treguar ndonjë interes për ta mbështetur këtë veprim.

Top Channel