Për shumicën e botës, pamjet e vullkanit në Hauai janë skena filmash hollivudianë, por për hauajanët janë realiteti i ditës.

Të paktën 31 shtëpi janë shkatërruar në ishullin e madh nga llava përvëluese që del nga oborret apo rrugët që janë mbushur me të çara për shkak të aktivitetit vullkanik dhe sizmik. Zona më e prekur është ajo e Leilanit, nga ku mbi 2000 njerëz janë evakuuar, të përgatitur për të mos u kthyer për shumë kohë.

Autoritetet lokale thanë se të çara të reja verifikohen thuajse çdo ditë, ndërsa ishulli i madh i arkipelgut të Hauait nuk po gjen qetësi nga tërmetet dhe vullkani Kilauea. Shkencëtarët thonë se çarjet nga del llava vijnë si pasojë e grumbullimit të presionit brenda vullkanit. Sipas tyre, presioni është ende i lartë dhe pritet që të krijohen çarje të tjera nga do të vazhdojë të dalë llavë dhe gaz.

Veç llavës përvëluese, një tjetër rrezik serioz për jetën e banorëve është gazi vdekjeprurës sulfurik që del prej vullkanit. Fatmirësisht, deri tani nuk ka pasur asnjë viktimë, por autoritetet paralajmëruan banorët që të tregohen shumë të kujdesshëm.

Kilauea nuk i ka ndalur shpërthimet që prej vitit 1983 dhe është një prej vullkanëve më aktivë në botë.

FOTO GALERI
1/20

Top Channel