Bota e futbollit është ende në ankth të madh për shëndetin e Sir Alex Fergusonit. Ish-trajneri legjendar i Manchester United u shtrua mbrëmjen e së shtunës në gjendje kritike në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për hemorragji cerebrale, e deri tani kanë munguar informacionet në lidhje me gjendjen e tij.
Njoftimi i fundit i publikuar ishte komunikata e Manchester United, që theksonte se operacioni i Sir Alex shkoi mirë dhe se atij i duhet të qëndrojë për disa kohë në terapi intensive.
Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve kanë vërshuar mesazhet inkurajuese për Sir Alex Fergusonin, jo vetëm nga futbollistët e ish-futbollistët e Manchester United, por edhe nga ata të skuadrave të tjera, trajnerë e klube të ndryshëm.
Mesazhin e tij për një shërim të shpejtë e dha edhe Arsene Wenger, ndërkohë që personalitete si Pep Guardiola, Jurgen Klopp apo Antonio Conte vunë në dukje admirimin e tyre për këtë trajner, që arriti që drejtojë për 26 vite një skuadër si Machester United, duke fituar trofe të shumtë.
“Djajtë e kuq”, nëpërmjet faqes zyrtare të klubit kanë falënderuar të gjithë për mbështetjen ndaj Fergusonit.
“Manchester United dëshiron t’iu thotë faleminderit të gjithë miqve në botën e futbollit, për mesazhet e panumërta të solidaritetit e mbështetjes”, theksohet në komunikatën e klubit anglez.
Sir Alex Ferguson është trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit britanik. Në 26 vitet e qëndrimit të tij në drejtimin e Manchester United, ai ka fituar 38 tituj, nga të cilat 13 në Premier League e 2 në Champions League.
Top Channel