Shpërthen vullkani në Hauai, evakuohen banorët dhe turistët – VIDEO

04/05/2018 11:01

Shpërthimi i vullkanit “Kilauea” ka detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e detyrueshëm të qindra banorëve të një zone rezidenciale në Hauai, duke i orientuar drejt një qendre lokale që shërben edhe si strehim në raste rreziku.

Dëshmitarë okularë flasin për një shpërthim llave që ka bllokuar krejtësisht një rrugë kalimi.

“Ishte si të shihje një perde zjarri, – thonë ata, duke shtuar se “në ajër mund të ndieje erën e squfurit dhe pemëve që digjeshin”.

Shpërthimi i vullkanit pason një seri tërmetesh të forta në rajon këto ditët e fundit.

Guvernatori i Hauait, David Ige deklaroi se ka aktivizuar rezervistët e Gardës Kombëtare për të ndihmuar në evakuimin e njerëzve.

Banorëve u është kërkuar të ndjekin udhëzimet e Agjencisë së Mbrojtjes Civile e të jenë në gatishmëri për të lëvizur.

E gjithë kjo nuk ishte fare e papritur për ta, pasi ishin paralajmëruar gjatë të gjithë javës mbi nevojën e përgatitjes për evakuim.

Të çara të reja në krater u vunë re pasditen e së enjtes. Avull përvëlues nisi të dilte disa orë më vonë nga njëra prej tyre dhe shumë shpejt u shfaq llava. Ekspertët i konsiderojnë të rrezikshme edhe nivelet e squfurit në zonë, ndërsa aktivitetin sizmik të këtyre ditëve e krahasuan me atë që kishte paraprirë shpërthimin e “Kilaueas” shkurtin e vitit 1955.

Top Channel