Irani kërcënon të rinisë pasurimin e uraniumit

04/05/2018 15:55

Irani nuk pranon rinegocimin e marrëveshjes së arritur në 2015-ën e kërcënon të rinisë pasurimin e shumëdiskutuar të uraniumit.

Deri më tani, republika islamike duket se i është përmbajtur kushteve të paktit, por nuk pranon t’i qëndrojë ujdisë nëse Shtetet e Bashkuara zgjedhin të largohen prej saj.

“Po u tërhoq Amerika, tërhiqemi edhe ne”, ishte deklarata e ministrit të Jashtëm Mohhamad Javad Zarif në një video të publikuar në “YouTube” dhe në “Twitter”. Të njëjtin mesazh përcolli edhe Ambasadori i Iranit në Londër, Hamid Baeidinedschad.

Vendi ynë është gati të kthehet në gjendjen e mëparshme, paralajmëroi ai, duke theksuar se një hap i tillë do të sillte edhe rishikim të marrëdhënieve me organizatën Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore IAEA.

Marrëveshja e firmosur në Vjenë tre vjet më parë mes Iranit, pesë fuqive me të drejtë vetoje në OKB dhe Gjermanisë synon t’i pengojë regjimit të Ajatollaheve zhvillimin e aftësive për të prodhuar armë nukleare.

Pikërisht në bazë të saj, Teherani e ka reduktuar dukshëm pasurimin e uraniumit dhe ka lejuar kontrolle më të ashpra të IAEA-s. Ujërat i trazoi Trump me deklaratat e tij se do të largohet nga pakti nëse nuk bëhen ndryshime, përfshirë këtu edhe një propozim për të kufizuar programin e raketave balistike të Iranit, që sipas këtij të fundit, mbahet për qëllime mbrojtëse.

Top Channel