India, nën pushtetin e pluhurit. Plot 125 viktima, situata pritet të përkeqësohet

04/05/2018 08:43

Nuk ka qetësi për veriun e Indisë. Bilanci i viktimave të stuhive të fuqishme të rërës e pluhurit në rajon ka mbërritur në mbi 125 dhe meteorologët paralajmërojnë se moti i keq nuk ka ndërmend të ndalet këtu.

Një kombinim i erërave të forta dhe rrufeve ka shkatërruar disa fshatra, e ka lënë pas me dhjetëra të plagosur.

Një zëdhënës i komisionit të ndihmës në Uttar Pradesh i tha agjencisë së lajmeve “AFP” se, një numër i tillë vdekjesh nga stuhitë nuk ishte regjistruar prej më shumë se dy dekadash.

Autoritetet kanë nisur të paralajmërojnë njerëzit për rrezikun e furisë së motit të përplasur mbi këtë rajon dhe Raxhastanin.

Agra, shtëpia e Taj Mahalit, është një nga vendet e goditura më rëndë. Shumë nga viktimat atje kanë qenë duke fjetur, kur shtëpitë u janë shembur mbi krye për shkak të rrufeve dhe erërave të dhunshme.

Ndërkohë, stuhitë kanë zbritur edhe në jug, duke mbjellë shkatërrim edhe në rajonin e Andra Pradeshit. Zyrtarët lokalë shprehen të tronditur nga egërsia e tyre. Disa thonë se nuk kishin parë ndonjëherë sistem të tillë stuhish, që për më tepër goditi gjatë natës ndërsa njerëzit flinin, duke i zënë kështu në befasi.

Top Channel