Sulmet ndaj medies, Mogherini: Janë sulm ndaj lirisë

03/05/2018 14:05

“Sulmet kundër medies dhe gazetarëve janë sulme kundër demokracisë dhe lirisë së të gjithëve ne. U bëjmë homazh të gjithë reporterëve në Europë e mbarë botën, që humbën jetën teksa ushtronin profesionin e tyre”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, me rastin e Ditës së Lirisë së Shtypit.

“U bëjmë thirrje të gjitha vendeve, – vazhdon mesazhi i saj, – që ta dënojnë dhunën kundër reporterëve, të marrin masa për të përmirësuar sigurinë e tyre, me një vëmendje të përqëndruar sidomos te gazetaret femra dhe t’i nxjerrin para drejtësisë individët përgjegjës për akte të tilla dhune”.

Mogherini thekson më tej se, gazetaria e pavarur është jetike për llogaridhënien e shtetit e për monitorimin e proceseve demokratike.

“Mediet e lira, të larmishme e të pavarura, përfshirë ato ‘online’, janë shtyllat e një shoqërie të hapur pluraliste dhe bartin në vetvete përgjegjësinë e madhe për t’i garantuar publikut lajme të verifikuara dhe korrekte. Ne do t’i kundërvihemi çdo legjislacioni, rregulloreje apo presioni politik që kufizon lirinë e fjalës dhe do të marrim masa konkrete për të parandaluar e për t’iu përgjigjur sulmeve ndaj gazetarëve dhe blogerëve, duke llogaritur këtu edhe asistencën e emergjencës për t’u dalë në krah mbrojtësve më të rrezikuar të të drejtave të njeriut”, thuhet më tej në mesazh.

Top Channel