Rojet që kushtojnë! SHBA paguan mln dollarë për “gafat” e tyre

01/05/2018 18:35

Qeveria amerikane ka paguar më shumë se 60 milionë dollarë në marrëveshje ligjore dhe dëmshpërblime për shkak të përfshirjes së agjentëve të kufirit në raste vdekjeje, plagosje, sulme dhe arrestime të jashtëligjshme.

Qëkur ka marrë detyrën, Presidenti Donald Trump është përpjekur që të rrisë forcën e autoriteteve në kufirin jugor me Meksikën. Por shqyrtimi nga mediat i dokumentave me të dhëna zyrtare për më shumë se një dekadë, tregon se agjentët e kufirit, jo vetëm që kanë fuqi të mjaftueshme, por shpesh kanë abuzuar jashtë çdo norme me të.

The Guardian shkruan se marrëveshjet ligjore dhe dëmshpërblimet që tregohen hapur në dokumentat e gjykatave, ngrenë shqetësim të madh për historikun e bashkëveprimit të agjencisë së kufirit me civilët, qofshin amerikanë apo emigrantë.

Dokumentat nga viti 2005 e deri në 2017 tregojnë se qeveria amerikane ka dëmshpërblyer të paktën 20 raste vdekjesh të gabuara dhe u ka paguar mbi 9 milion dollarë familjevë të viktimave të vrara e armë zjarri, pistoleta elektrike, apo të goditura nga makinat. Me mijëra janë dëmshpërblimet për lëndime dhe plagosje.

Viktima të rojes kufitare kanë rënë shpesh edhe shtetasit amerikanë për sjellej raciste, kontrolle dhe arrestime të paarsyeshme, madje edhe dhunë. Roja kufitare amerikane ka fuqi të jashtëzakonshme dhe juridiksioni i tyre shtrihet për 160 km në brendësi të vendit nga çdo kufi.

Në këtë zonë ata janë zot dhe mund të ndalojnë, kontrollojnë e arrestojnë këdo, të kontrollojnë makina, autobusë e madje edhe avionë, bazuar në dyshim të arsyeshëm, një term që lë shumë vend për interpretim.

Me laps në dorë llogaria është tronditëse: Departamenti i Thesarit ka plotësuar një çek çdo 32 minuta për të dëmshpërblyer gabimet e rojave kufitare gjatë periudhës 12-vjeçare, me një total prej 177 milion dollarësh, nëse merren parasysh edhe paditë për humbje financiare në punë, apo dëmtime pronash.

Top Channel