Brazil, zjarri shemb ndërtesën 26-katëshe; dhjetëra viktima

01/05/2018 18:10

Ekipet e emergjencave po kërkojnë nën rrënojat e një ndërtese 26-katëshe të shembur në Sao Paulo, por shpresat për të mbijetuar janë të pakta. Ndërtesa e lartë mori flakë gjatë natës dhe struktura e saj nuk i rezistoi dot zjarrit, duke u shembur me zhurmë.

Autoritetet braziliane thanë se një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë shpallur të humbur, megjithëse pritet që bilanci makabër të jetë shumë më i rëndë.

Zyrtarisht godina ishte bosh dhe prej kohësh ishte planifikuar shembja e saj për shkak të vjetërsisë, por autoritetet thanë se dhjetëra të pastrehë jetonin aty në mënyrë të jashtëligjshme. Sipas dokumentave të bashkisë, 50 familje të pastreha kishin regjistruar ndërtesën e vjetër 26-katëshe si banesën e tyre në pritje të strehimit.

Prej kohësh, banorët e zonës dhe organizatat humanitare kishin dhënë alarmin për kushtet e mjerueshme në të cilat njerëzit jetonin aty. Zyrtarë të bashkisë, të cilët preferuan të mbesin anaonim, thanë se e dinin gjendjen e ndërtesës, por shtuan se është ligjërisht shumë e vështirë dhe mjaft e dëmshme në zgjedhje që të dëbosh njerëzit nga një ndërtesë pa i gjetur një strehim tjetër.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel