Parisi e Berlini “sfidojnë” SHBA! Njëri avionet, tjetri tanket

30/04/2018 17:17

Një nga premtimet elektorale të Donald Trump gjatë fushatës përballë Hillary Clinton ishte detyrimi i të gjitha vendeve anëtare të NATO-s që të shpenzojnë 2 për qind të GDP-së së tyre për ushtrinë.

E nisur nga kjo, Franca dhe Gjermania, që të dyja vende që nuk e kapin këtë kuotë, u vunë në lëvizje. Një vit më parë, Berlini dhe Parisi ranë dakort në parim për të punuar së bashku në një sërë projektesh armatimi.

Projektet janë të larmishme, që nga ideimi, ndërtimi dhe zhvillimi i një tanku të përbashkët, që për nga teknologjia dhe kapaciteti luftarak do të ishte i pashoq, e deri tek një avioni luftarak po të përbashkët.

Një vit më vonë, ato që u ranë dakort parimisht u nënshkruan në një dokument nga dy ministret e mbrojtjes.

“Duam një Europë të lirë, demokratike dhe të qetë! Duam një Europë të forta, që të jetë në gjendje të mbrojë vlerat dhe qytetarët e saj, ndaj është e rëndësishme që të ndërmarrim hapa parandalues në një botë që po bëhet gjithnjë e më shumë e pasigurtë”, deklaroi ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen.

Ministrja franceze e quajti nënshkrimin e dokumentit në fjalë një përvijim i diskutimeve dhe planeve të përbashkëta në këtë drejtim, që ekzistojnë prej vitesh.

“Kemi diskutuar shumë për një strategji të pavarur të Europës në këtë drejtim. Me këtë marrëveshje, ne jetësojmë këtë strategji”, deklaroi ministrja Florence Parly.

Detyrat janë ndarë. Franca do të ketë rol udhëheqës në ndërtimin e avionit të ri, që do të zevendësojë “Eurofighter”, ndërsa Gjermania do të udhëheqë në ndërtimin e armatimeve tokësore, që nga tanket, autoblindat dhe deri tek sistemet mbrojtëse raketore.

Lëvizja, që u zyrtarizua gjatë një ekspozite të avioacionit në Gjermani, interpretohet edhe si një sfidë për t’u shkëputur nga varësia amerikane në çështjet e sigurisë

Top Channel