Palestinezët votojnë për të rinuar lidershipin, me një Abbas gjithnjë e më autoritar

29/04/2018 11:49

Krerët më të lartë të Autoritetit Palestinez (PLO), me një moshë mesatare 70 vjeç, do të dalë përpara zgjedhjeve për herë të parë në mbi dy dekada, kur qindra delegatë të marrin pjesë në Konventën e kësaj jave në Bregun Perëndimor.

Kjo është një mundësi e artë për rivitalizimin e lëvizjes kombëtare palestineze, që ka kapur nivelin më të ulët historik, e sigurisht për të nisur bisedimet mbi pasardhësin e mundshëm të presidentit 83-vjeçar Mahmoud Abbas.

Gjithsesi, disa kritikë brenda Organizatës Çlirimtare të Palestinës thonë se Abbas po kryeson një ngjarje të organizuar për t’i dhënë legjitimitet sundimit gjithnjë e më autoritar të tij. Disa të tjerë po sfidojnë kohën, duke thënë se fillimisht duhen zgjidhur mosmarrëveshjet me Hamasin e fuqishëm (degë tjetër e palestinezëve veç PLO-së), që sundon Rripin e Gazës.

Mbështetësit e Abbasit, ndërkohë, e konsiderojnë këtë mbledhje të “Parlamentit” të PLO-së, dikur imagjinohej se do të përfaqësonte palestinezët ngado, si përcaktuese për ranqet që vijnë pas Abbasit. Sipas tyre, Abbasit i nevojitet një mbështetje e fortë në betejën e tij politike me administratën e Trumpit, që shihet nga shumica e palestinezëve si thellësisht pro Izraelit.

Organizata Çlirimtare e Palestinës u themelua në mesin e viteve ’60, si një strehë e fraksioneve palestineze. Prej fillimit, ai dominohej nga lëvizja Fatah, që kryesohet tashmë nga Abbasi. Pasi promovoi luftën e armatosur për dekada të tëra, PLO-ja këmbeu letrat e njohjes me Izraelin në vitin 1993. Nga këtu lindi edhe krijimi i Autoritetit Palestinez, një qeveri vetëqeverisëse që drejtoi fillimisht Gazën dhe enklavat në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Në letër, PLO-ja mbeti “përfaqësuesi i vetëm legjitim” i palestinezëve, e njohur nga mbi 100 vende. Megjithatë, pushteti u zhvendos shumë shpejt tek Autoriteti Palestinez, i mbështetur nga ndihmat e fuqive të huaja, që ofroi shërbime për miliona palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Gaza.

Ndërkohë, Fatahu nisi të humbiste terren kundrejt Hamasit, që u themelua në fundvitet ’80. Hamasi fitoi zgjedhjet parlamentare palestineze në vitin 2006 dhe i zmbrapsën besnikët e Abbasit nga Gaza një vit më vonë. Sot, PLO-ja shihet gjerësisht si një bërthamë e boshatisur, por mbetet ende një çadër politike që mund të rigjallërohet. Edhe Hamasi ka shprehur dëshirën për t’iu bashkuar, por Abbasi e ka penguar, duke iu frikësuar një tjetër gllabërimi.

Parlamenti i PLO-së (Këshilli Kombëtar Palestinez), i cili do të nisë zyrtarisht me fjalimin e Abbasit të hënën, do të zhvillojë takime 4-ditore në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor. Më vonë gjatë javës, delegatët do të zgjedhin Komitetin e ri Ekzekutiv të PLO-së, trupës më të lartë vendimmarrëse, me 18 anëtarë.

Zgjedhje të ngjashme janë mbajtur për herë të fundit në sesionin plenar të PNC-së të vitit 1996 në Gaza. Në vitin 2009, një mbledhje më e vogël në numër e PNC-së u mbajt për të zëvendësuar 6 anëtarë që ose kishin vdekur, ose ishin sëmurë. Anëtarët aktualë janë mes të 60-ave dhe të 90-ave. Fatahu do të marrë 3 vende, fraksionet e vogla marrin nga një secili dhe në total 7, ndërsa të pavarurit marrin 8 vende.

Top Channel