Mijëra njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre në provincën Kachin në Mianmar si pasojë e luftimeve mes ushtrisë dhe rebelëve etnikë. Sipas OKB, gjatë prillit më shumë se 4000 njerëz janë larguar nga banesat e tyre.

Përleshjet e armatosura janë pasojë e përshkallëzimit të përplasjeve mes Organizatës për pavarësinë e Kachin dhe qeverisë së Mianmarit. Raportohet se ushtria po bombardon nga toka dhe ajri rebelët pa u shqetësuar aspak për jetët e civilëve, si zakonisht në Mianmar ku autoritetet qendrore nuk duan t’ia dinë për pakicat.

Veç mijëra të larguarve, OKB thotë se shumë të tjerë kanë mbetur në kurth në zonat e konfliktit në afërsi të kufirit me Kinën. Pjesa më e madhe e banorëve të Kachinit janë të krishterë dhe përplasjet me shumicën budiste të vendit nuk kanë munguar kurrë.

Organizatat humanitare i kanë kërkuar leje qeverisë që të shkojnë në zonë, por kjo e fundit nuk i ka lejuar. Kriza në Kachin i shtohet asaj të myslimanëve Rohingija në perëndim të vendit, të cilët janë përballur me një fat të ngjashëm.

Komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar ashpër Mianmarin dhe liderin e saj Aung San Suu Kyi pasi nuk bën asnjë për t’i dhënë fund shkeljes së të drejtave të njërit në vend dhe kufizimin e ndihmës humanitare, duke treguar një armiqësi të hapur ndaj etnive dhe pakicave në Mianmar.

Top Channel