Darka e korrespondentëve, një “ujkonjë” fshikullon Trumpin, që mungon për të dytin vit radhazi

29/04/2018 14:16

Presidenti amerikan Donald Trump ishte sërish në shënjestër të thumbimeve dhe shakave në darkën e përvitshme të korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Komediania Michelle Wolf, e ftuara speciale e natës, bëri disa shaka të shumëdiskutuara në darkën e përvitshme, në të cilën presidenti nuk mori pjesë.

Wolf, parpara audiencës prej rreth 3.000 personash në mbrëmjen prestigjioze të medies në hotelin “Hilton”, mbajti një fjalim të ekzagjeruar, duke vendosur në shënjestër jo vetëm presidentin, por edhe pjesëtarë të administratës së tij, disa prej të cilëve madje të pranishëm në sallë.

“Sa herë që Sarah Sanders del në podium, unë ekzaltohem. Nuk jam e sigurtë se çfarë më pret. Një deklaratë për shtyp, një tufë gënjeshtrash, apo ndarje në ekipe softbolli?”, tha Wolf.

Wolf mbajti një monolog 20-minutësh të mbushur edhe me referenca seksuale.

“Siç edhe thotë një yll pornoje, kur ajo do të ketë seks me një Trump, le t’ia fillojmë”, tha ajo, duke iu referuar rastit të aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels, që pretendon se ka pasur marrëdhënie seksuale me Trumpin.

“Është viti 2018 dhe unë jam një grua, ndaj nuk mund të më mbyllësh gojën. Vetëm nëse Michael Cohen e bën këtë me 130 mijë dollarë”, tha ajo.

Cohen është avokat i presidentit Trump. Wolf thumboi po ashtu edhe vajzën e këshilltaren e presidentit Trump, Ivanka, duke thënë se ajo duhej të ishte një avokate e grave, por po i ndihmon ato po aq sa i ndihmon edhe një kuti boshe tamponësh.

Darka e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë mbahet çdo vit, por për të dytin vit radhazi Trump mungonte.

Top Channel