Australia, përpjekje për të shpëtuar brezin e madh koralor

29/04/2018 14:25

Australia ka premtuar 500 milionë dollarë australianë për të mbrojtur brezin e madh koralor, që është pjesë e trashëgimisë botërore.

Në vitet e fundit, brezi ka humbur 30 për qind të koraleve të tij, si pasojë e rritjes së temperaturës së detit dhe dëmtimet e tjera.

Fondi do të përdoret për të reduktuar rrjedhjet në det të pesticideve bujqësore dhe për të përmirësuar cilësinë e ujit. Një pjesë e parave do të përdoret për të ndihmuar fermerët, në zonat pranë brezit të madh koralor, të modifikojnë aktivitetet e tyre.

Brezi i madh koralor i Australisë mund të shikohet nga hapësira dhe është shpallur një sit i trashëgimisë botërore në vitin 1981, nga organi kulturor i Kombeve të Bashkuara, UNESCO. Kjo e fundit ka edhe 1.052 site të tjera të rëndësishme në listën e saj të trashëgimive botërore, por në vitin 2017 vendosi që të mos e përfshinte brezin koralor në listën e 55 siteve të trashëgimisë botërore që janë në rrezik.

Sidoqoftë, zbardhja dhe dëmtimi i madh i koraleve, vitet e fundit, ka prekur dy të tretat e barrierës, e kjo duket edhe nga vëzhgimet e shumta ajrore që janë kryer.

Brezi koralor është një koleksion i gjerë i mijëra koraleve të vogla, që shtrihen nga pjesa lindore e Queenslandit deri në qytetin jugor të Bundabergut. Kanë qenë të shumtë ata që kanë përshëndetur financimin shtesë nga ana e qeverisë australiane, por thonë se ajo duhet të fokusohet më shumë te ndryshimet e klimës.

Australia, në fakt konsiderohet se është një nga ndotësit më të mëdhenj në botë përmes emetimit të sasive të mëdha të gazrave që shkaktojnë efektin serë. Në vitin 2015, Australia tha se planifikonte të reduktonte emetimin e këtyre gazrave 26-28 për qind nën nivelet e vitit 2005, e do ta bënte këtë para vitit 2030.

Top Channel