Carlo Ancelotti nuk do të jetë trajneri i përfaqësueses italiane, edhe pse në media ai ishte konsideruar si pretendenti kryesor për të marrë këtë detyrë.
Ish-trajneri i Milanit, Realit, Chelseat, Paris SG-së e Bayern Munchen, që ndodhet me pushime në Kanada, ka folur me Alessandro Costacurtën për t’i komunikuar vendimin e tij, duke refuzuar ofertën e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC).
Sipas asaj që publikohet në medien italiane, propozimi i ardhur nga qeveria e futbollit të vendit të Apenineve nuk e bindi Ancelottin, që ende nuk ka marrë asnjë skuadër që nga momenti kur u largua nga Bayern Munchen.
Për më tepër, 58-vjeçari nuk e ka fshehur asnjëherë se preferon punën e përditshme me një klub, e sipas zërave më të fundit të merkatos, italiani mund të marrë sërish drejtimin e Chelseat.
Refuzimi i Ancelottit do të thotë se në “pole position” për të marrë drejtimin e “të kaltërve” kthehet të jetë Roberto Mancini, me këtë të fundit që e shfaqi menjëherë entuziazmin e tij kur u fol për këtë mundësi.
Mancini është ende nën kontratë me Zenitin, por ajo nuk do të përbëjë asnjë pengesë për italianin, nëse ai e merr telefonatën nga Federata për të marrë drejtimin e 4 herë kampionëve të botës. Tani nuk mbetet gjë tjetër, veçse të pritet vendimi përfundimtar në lidhje me këtë çështje, afati i fundit për të cilin është data 20 maj.
Top Channel