Trump ‘ndan mendjen’ për datën e vizitës në Britaninë e Madhe

27/04/2018 00:59

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të vizitojë Britaninë e Madhe më 13 Korrik, pasi më herët kishte anuluar një udhëtim të planifikuar, pas pretendimeve se do të përballej me protesta.

Kjo nuk do të jetë një vizitë shtetërore e plotë, siç iu premtua Trump nga kryeministrja britanike Theresa May, kur kjo e fundit vizitoi Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit të shkuar, por, një ftesë për një vizitë shtetërore, ende është e vlefshme, shkruan BBC.

Ai do të zhvillojë bisedime dypalëshe me kryeministren May, konfirmoi Downing Street, me detajet e mëtejshme që do të konfirmohen në vijim.
Data në korrik, pason samitin e NATO-s në Bruksel, ku presidenti Trump pritet të marrë pjesë.

Downing street dhe Shtëpia e Bardhë kishin shpresuar të koordinonin zbulimin e detajeve të udhëtimit, por zëdhënësja e Trump, Sarah Sanders, me sa duket e zgjidhi gojën më herët.

Ambasadori britanik, Sir Kim Darroch, po ashtu konfirmoi datën në Twitter, duke thënë se ishte i kënaqur që Trump do të vizitonte Britaninë e Madhe.

Trump anuloi një udhëtim të planifikuar në Londër për inaugurimin e ambasadës së re amerikane atje, më herët këtë vit, duke e justifikuar këtë me pakënaqësinë e tij nga vendi ku ambasada është ngritur.

Por kritikët thanë se vendimi i tij mund të ishte diktuar nga frika e protestave. E këto të fundit, nuk pritet të mungojnë edhe në vizitën tashmë të njoftuar.

Theresa May ishte e para lidere e huaj që vizitoi Trump në Shtëpinë e Bardhë, pas inaugurimit të tij në janar 2017. Ajo i dorëzoi një ftesë nga Mbretëresha, për një vizitë shtetërore, një okazion formal me shumë pompozitet dhe ceremoni.

Trump e pranoi ftesën, por data nuk u përcaktua asnjëherë dhe në mesin e spekulimeve është shtyrë pafundësisht. Vizita shtetërore e profilit të lartë në Washington DC, e presidentit francez, Emmanuel Macron, këtë javë dhe marrëdhënia e tij dukshëm e ngrohtë me presidentin, ka ndezur spekulimet për gjendjen e të ashtuquajturës marrëdhënie speciale mes Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Top Channel