Merkel takohet me Trumpin, pritshmëri të ulëta në Berlin

27/04/2018 14:21

Angela Merkel udhëton sot drejt Uashingtonit për një takim me presidentin amerikan Donald Trump, i cili nuk ka për të qenë aq i lehtë sa ai i shefit të Shtëpisë së Bardhë me kreun e shtetit francez, Emmanuel Macron.

Një ditë përpara kësaj vizite, burime qeveritare në Berlin treguan se Gjermania është përgatitur për një luftë të mundshme tregtare me Shtetet e Bashkuara, gjë që dëshmon faktin se ekzekutivi atje i ka ulur pritshmëritë e tij mbi rezultatin e ndalesës së dytë të Kancelares në Uashington.

Në darkën e përbashkët, Merkel do të ketë mundësinë të rihapë tema të trajtuara nga Macron, i cili kishte kritikuar kthimin te të menduarit si nacionalist.

Fjalimi i tij në Kongres u prit mjaft mirë, sidomos pjesa ku tha se Shtetet e Bashkuara e kanë rizbuluar multilateralizmin.

Presidenti francez ka demonstruar unitet me Kancelaren Merkel sa i përket linjës së përbashkët politike, por Merkel – kujtojnë mediet gjermane, – nuk zotëron një dramaturgji të njëjtë prezantimi si Macron, e nuk ka simpatitë që ai gëzon në Amerikë.

Trump e ka theksuar disa herë miqësinë e tij me shefin e Elizesë, ndërsa me Kancelaren refuzoi në takimin e parë të përshëndetet para kamerave. Ndër temat e vështira të këtij takimit pritet të jenë tregjet ndërkombëtare dhe paratë që duhen ndarë për çështjet e sigurisë.

Presidenti amerikan kërkon nga vendet anëtare të NATO-s që të shtojnë kontributin financiar në të pakten dy për qind të prodhimit kombëtar.

Top Channel