Briken Çalja mund të konsiderohet edhe zyrtarisht kampion i Europës në peshëngritje, pasi afati i pritjes së përgjigjeve të dopingut ka kaluar prej 21 ditësh. Megjithatë, për të nuk ka ende një njohje zyrtare nga qeveria shqiptare.
“Vetëm këtu në Shqipëri pritet përgjigjja, e për më tepër pritet përgjigjja që të dalim me doping. Në të kundërt nuk ka përgjigje zyrtare”, shprehet Briken Çalja për Top Channel.
Tri medalje të arta të marra nga Çalja, me sa duket nuk kanë mjaftuar për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, KOKSH-i ka vendosur që të lerë jashtë Lojërave Mesdhetare sportin e peshëngritjes, nisur nga rezultatet e analizave të kohëve të fundit për disa sportistë të këtij sporti.
Pas përjashtimit nga anketa e 10 sportistëve më të mirë të vitit, kjo është një tjetër goditje që KOKSH-i po kërkon t’i japë peshëngritjes, një sport që ka dhuruar më shumë medalje, si pak të tjera në vend.
“Besoj se është i vetmi rast në botë që merret një vendim i tillë për të dënuar sportistë medalistë për mospjesëmarrje në çdolloj aktiviteti. Sidomos në Lojërat Mesdhetare, ku ne luftojmë me bindje të plotë për medalje. Minimalisht peshëngritja do të sillte 6 medalje nga ky turne. Arsyeja është se jemi kapur me doping dikur dhe s’duhet të marrim pjesë. Ne jemi sportistë aktivë, unë jam kampion Europe. Nuk ka shtet në botë apo ligj që ndalon një sportist aktiv të marrë pjesë në një garë. I vetmi rast është ky i yni”, thekson më tej Briken Çalja.
Gjithsesi nuk ka ende një shkresë zyrtare të publikuar për këtë vendim, por pritet që javën e ardhshme të zbardhet dhe argumentimi i vendimit të Kryesisë, nëse do të mbetet ende në fuqi. Lojërat Mesdhetare do të zhvillohen në Terragona të Spanjës, nga data 22 qershor deri më 1 korrik.
Top Channel