Vogëlushi lufton për jetën pa aparatura, babai: Duam ta marrim në shtëpi!

26/04/2018 10:51

Babai i vogëlushit të sëmurë, Alfie Evans, ka bërë të ditur se këtë të enjte është parashikuar një takim me doktorët për të diskutuar marrjen e të birit në shtëpi.

Tom Evans u tha reporterëve jashtë spitalit “Alder Hey” në Liverpool se, djali i tij nuk ka më nevojë të qëndrojë në kujdesin intensiv.

Të mërkurën, gjykatësit refuzuan apelin e prindërve të Alfie për ta lejuar atë të dërgohej në Itali për trajtim mjekësor.

Evans dhe Kate James kishin dorëzuar padinë në Gjykatën e Apelit, pasi një gjykatës i Gjykatës së Lartë kishte vendosur se mund ta merrnin djalin e tyre për në shtëpi, nga spitali, por jo për ta nxjerrë jashtë shtetit.

Doktorët thonë se vogëlushi vuan nga një gjendje degjenerative neurologjike dhe konsiderohet të jetë në një gjendje gjysmëkome.

“Për fat të keq, dje na u refuzua të shkonim në Itali”, tha ai për reporterët gjatë së enjtes. “Ne mund ta çojmë edhe më tej, por a do të ishte gjëja e duhur? A do të nxiteshin më shumë kritika? Ajo që mund të bëjmë sot është të takohemi me doktorët e ‘Alder Hey’ dhe po kërkojmë të kthehemi në shtëpi. Alfie nuk ka më nevojë për kujdes intensiv. Ai po dergjet në krevat me vetëm një litër oksigjen që shkon drejt mushkërive të tij, e asgjë më shumë. Disa njerëz thonë se kjo është një mrekulli, por nuk është. Është thjesht një diagnostikim i gabuar”.

Evans tha se djali i tij po jeton pa aparatura për 3 ditë dhe nuk po shfaq asnjë shenjë përkeqësimi. “Ai nuk është zgjuar, është ende disi i dobët, por ajo që po kërkojmë është të shkojmë në shtëpi për të mbështetur të drejtën e tij për të jetuar”, tha ai. Sipas babait, Alfie është ende duke luftuar, e për këtë i ati ndihet i qetë dhe i kënaqur falë normës së qëndrueshme të rrahjeve të zemrës.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel