Ai është cilësuar si takimi historik që mund të sjellë paqen në gadishullin Korean, të ndarë prej më shumë se 6 dekadash tashmë.

Mëngjesin e së premtes, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un do të pritet nga homologu i tij jugor, Moon Jae-in, në zonën e çmilitarizuar që ndan dy vendet fqinje.

Do të jetë e para herë që krerë të dy shteteve, ish-armike të mëdha, do të shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin që prej vitit 2007.

Rezultati i takimit të shumëtrumpetuar do të jetë hedhja e themeleve të atij që konsiderohet si samiti më i rëndësishëm diplomatik i një gjenerate të tërë: përballja e udhëheqësit komunist me presidentin amerikan, Donald Trump, në maj apo në qershor.

Kim Jong-un pritet të kalojë vijën e zonës së çmilitarizuar të premten, në 9:30 me orën lokale, moment ky që do të ndiqet sipas të gjitha gjasave nga miliona njerëz në mbarë botën.

Aty do ta presë Moon dhe së bashku do të bëjnë një ecje të shkurtër deri tek e ashtuquajtura “Shtëpia e Paqes”, qendra e konferencave në fshatin kufitar Panmunjon.

Ka fjalë, sipas të cilave Kim do të shoqërohet nga e shoqja, Ri Sol-ju, e cila udhëtoi me të edhe në Pekin muajin e kaluar, rrugëtimi i parë jashtë kufijve i udhëheqësit koreano-verior që prej marrjes së pushtetit në vitin 2011.

Koreja e Jugut nuk është kursyer për samitin e organizuar me shumë kujdes, e vetëm dhomës ku krerët do të ulen së bashku i është bërë një ripërtëritje totale, duke e mbushur me elemente simbolike.

Pas një pushimi për drekë, Kim dhe Moon do të mbjellin një pemë pishe duke përdorur dhè nga mali Halla në Korenë e Jugut dhe mali Baekdu në veri. Pikën kulmore, dita do ta arrijë me një banket të pasur, menyja e të cilit do të jetë e mbushur me specialitete të të dyja vendeve.

Top Channel